Pyet qytetarin – Njesia bashkiake numer 5

Problematikat e mungeses se kanalizimeve.

Kryeqyteti gëlon nga lëvizjet politike, dhe në ajër ndihet një frymë ndryshimi. Populli ka vendosur të lëviz nga ‘gjumi letargjik’ i 25 viteve. Këtë po e dëshmon nëpërmjet protestave të vazhdueshme. Dikush kërkon përmirësim kushtesh, dikush tjetër kërkon të vendoset drejtësia. Të gjithë kërkojnë të njëjtën gjë; qyteti i Tiranës të përmirësohet, pa i rënë në qafë qytetarit, dhe të arrijë kushtet e merituara europiane.

Viti 2019 përkon më vitin e zgjedhjeve lokale, dhe tani peshohet në ‘kandarin e drejtësisë’ a janë plotësuar të gjitha premtimet e bëra nga kryetari gjatë fushatës si dhe pas fitores. Grupi ynë i punës ka realizuar një kërkim, të bazuar në disa pika; monitorim, anketim, analizë, dhe prezantim. Tirana jonë e vogël bëhet çuditërisht e madhe, kur e prek nga cepi në cep. Duke u bazuar në premtimet e Z. Veliaj, të paraqitura në faqen zyrtare të Forumit të Mendimit të Lirë, problematika kryesore ishin kanalizimet. Këto të fundit ndër vite kanë qenë shqetësim për banorët. Dihet gjërësisht, që një mbasdite shi në Tiranë, sjell përmbytje të çdo rruge, qoftë kryesore e qoftë dytësore. Për këtë arsye ndaluam në njësinë numër 5, ku kryesisht është mbuluar zona e Vasil Shantos dhe Selitës.

Një nga investimet më të mëdha të kryera në këtë njësi është zona e Liqenit Artificial të Tiranës, ku dallimi është lehtësisht i kapshëm me sy të lirë. Përveç pemëve të famshme, që janë mbjell në çdo cep të Tiranës, liqeni është pastruar. Në funksion të tij është dhe një mol, i cili akseson qytetarin për te varkat. Ja pra ku u shtua dhe në atraksion turistik. Ende është në pikëpyetje nëse janë përdorur varkat apo jo. Janë ndërtuar korsitë e reja, brenda parkut por dhe në shëtitoren e digës, si dhe është ndërtuar parku i ri i lojërave multifunksional. Art Turbina është një investim tjetër, i cili ka sjellë shumë diskutime mes qytetarëve. Megjithatë është aty, qëndron i fortë, dhe aktualisht është Teatri i ri Kombëtar. Investime të tjera në njësinë numër 5, të cilat i kanë kryer punë qytetarit të thjeshtë, janë ura e re pranë Unazës së Madhe, në zonën e Selitës. Gjithashtu përmendim rrugë të shtruara dhe sinjalistika të reja si korsi biçikletash, vijëzime, trafikndarëse etj. Raste konkrete janë sheshin “Frederik Shopen”, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Sulejman Delvina” etj. Kryesisht pranë të gjithë njësisë janë bërë ndërhyrje në kanalizime dhe shtrime rrugësh, sinjalistikë, ndriçim dhe gjelbërim të shtuar. Megjithatë duhet të vejmë këmbët në tokë, dhe të ecim me realitetin. Ka plot aspekte të kësaj zone, të cilat besojmë se janë lënë pas dore. Këto nuk janë mendimet tona, por fjalë aktuale të qytetarëve të njësisë 5, të cilët nëpërmjet anketës së realizuar kanë shfaqur opinionin e tyre.

Anketa e ndarë në 10 pyetje me alternative cilësuese, ka marr në studim 100 qytetarët të moshave të ndryshme, mbi jetesën në komunitet dhe sa të kënaqur janë me kushtet e momentit. Në pyetjen numër 5: “Si e vlerësoni mbledhjen dhe largimin e ujërave të shiut dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonën tuaj?”, nga 100 persona, 15 vetë janë përgjigjur “Shumë Keq”, 25 e kanë cilësuar “Keq”, 35 kanë thënë “Mjaftueshëm”, dhe vetëm 25 persona janë përgjigjur pozitivisht me “Mirë” dhe “Shumë Mirë”. Ky problem shqetësues rritet ndjeshëm, teksa i afrohemi muajve të shirave të rrëmbyer. Mund të përmendim specifikisht rrugën “Bedri Dedja” që ka nevojë të menjëhershme për ndërhyrje në kanalizime, dhe rrugën “Viktor Eftimiu”, që pavarësisht kanalizimeve, nuk është shtruar akoma. Rruga “Valentina Pristoli” është kthyer në “ferr” për kryeqytetasit. Përballë centralit, në këtë rrugë, është krijuar një grumbull plehrash, ku duket qartazi se një ndërtesë është prishur dhe ambjenti nuk është pastruar. Trotuari ka nevojë për rregullim. Mbarëvajtja e pastrimit dhe plehrave është ende problem, koshat ose janë të tejmbushur ose mungojnë. Theksoj se, teksa në këto zona të futura të kryeqytetit kemi këto mangësira, në trotuaret e parkut të liqenit cdo 5 metra ke një kosh. Sado fantastik të jetë ky fakt, duket si një fasadë e kot, ku po thuhet trroç: le ta bëjmë qendrën si Zvicra dhe rrugicat si Zimbabëe.

Në njësinë numër 5 janë kryer investime të mëdha në infrastrukturë dhe shërbime, kryesisht në kopshte e shkolla. Janë shtuar në numër vendparkimet dhe parqet e lojrave për fëmijë. Ama sheshi para shkollës “Besnik Sykja” ka nevojë për restaurim, dhe të vihet në funksion si parkim ose si kënd lojërash. Momentalisht ky shesh është kthyer në parkim personal për banorët e zonës. Një tjetër hapësirë të cilën mund ta mirëshfrytëzojmë për një kënd lojrash është rruga “Vëllezërit Hobdari” ku hapësira në lagje ka vetëm dy lisharëse dhe asgjë më tepër. Ky shesh mund të kthehet në një hapësirë shplodhëse për banorët dhe fëmijët.Përsa i përket çështjes së hapësirave publike, shkollave e çerdheve, të anketuarit e njësisë numër 5 janë treguar më pak të rreptë. Shumë prejt tyre shprehen të kënaqur. Të pyetur për parqeve, lulishteve, shkollat e kopshtet, 53% e tyre janë përgjigjur me “Mirë” dhe “Shumë mirë”, ndërsa vetëm 15% janë shprehur të pakënaqur nga gjendja aktuale, dhe pjesa e mbetur kanë dhënë përgjigjen “Mjaftueshëm”.

Ndoshta në fund të ditës nuk duhet të ankohemi, se shqiptari “i shkretë” ka jetuar me kushte më të këqija. Ndërkohë qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre. Ndonëse nuk qahen për hapësirat publike, ka mangësira në infrastrukturë, kanalizime dhe shtrime rugësh. Protestat vazhdojnë në vitin e zgjedhjeve lokale. A do të jetoj vallë ku popull ndonjëherë më kushte europiane? Kush e ka fajin, populli apo qeveria? E ç’rëndësi ka në fund të ditës, për aq kohë sa kalojmë kryqëzime me ujin deri të gjunjtë.

• Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Pyet qytetarin” të Qendra Media dhe Cështjet Shoqërore, mbështetur nga LëvizAlbania

Post Author: Qendra Media